TIRANË– Një skemë mashtruese përmes mesazheve që shpërndahen në emër të Postës Shqiptare po qarkullon tashmë prej kohësh në vendin tonë.
Përmes këtij mashtrimi online, synohet vjedhja e të dhënave bankare të qytetarëve.
Sipas Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, domain-i i rrezikshëm është raportuar dhe është dërguar për bllokim te AKEP.
Specialisti i hetimit të incidencave kibernetike, pranë Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Kristian Josifi i ftuar në emisionin “Money Report” foli për këtë fenomen, i cili po shfaqet në mënyrë të shpeshtë.
Ai theksoi se personat, të cilët qëndrojnë pas kësaj skeme kanë si qëllim përfitimin ekonomik dhe zbulimi i tyre kërkon hetim me pjesëmarrjen e shumë vendeve të botës.
Specialisti kërkoi nga qytetarët të tregojnë vigjilencë dhe mos të klikojnë linqe apo url, të cilat janë të dyshimta apo imitojnë adresa të caktuara, siç po ndodh me rastin e Postës Shqiptare.
“Kjo është një fushatë që është prezente në shumë vend të botës. Këtu grupe kanë si qëllim që të dërgojnë sa më shumë mesazhe dhe kanë për qëllim përfitimin ekonomik. Ky është një imitim i faqes zyrtare, si për shembull ai i Postës Shqiptare. Rastet në të cilat njerëzit bien pre e këtij është shumë e lartë.
Automatikisht qytetarët të kontaktojnë me bankën. Aktualisht po merremi me bllokimin dhe gjurmimin e këtyre adresave. Po hetohen rastet, por akoma nuk kemi identifikim se kush qëndron pas tyre.
Është e gjitha te pjesa e URL-së. Duhet parë me kujdes se çfarë klikojmë. Shumë mesazhe dërgohen dhe në emër të bankave. Ne kemi shkuar deri tek pjesa teknika se s’di funksionon kjo gjë”, tha ai./abcnews.al

