Të paktën 24 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite të martën në mëngjes, ndërsa ndodheshin pranë një pike shpërndarjeje ndihmash në qytetin Rafah, ka raportuar Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e cila kontrollohet nga Hamasi.
Sipas të njëjtit burim, dhjetëra persona të tjerë janë plagosur, shumë prej tyre në gjendje të rëndë. Incidenti ndodhi në jug të Rripit të Gazës, në një moment kur qindra civilë ishin mbledhur për të marrë ndihma humanitare.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) konfirmuan se kanë hapur zjarr, duke thënë se ngjarja ndodhi rreth gjysmë kilometri larg vendit të shpërndarjes së ndihmave të Fondacionit Humanitar të Gazës, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara. Sipas deklaratës së IDF, disa individë janë afruar drejt trupave izraelite duke devijuar nga rrugët e përcaktuara për lëvizje, në një mënyrë që “përbënte kërcënim” për ushtarët.
Ky incident ndodh në një kohë të ndjeshme për situatën në Gaza, vetëm pak ditë pasi Izraeli pranoi një propozim për armëpushim të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara. Plani përfshin lirimin e nëntë pengjeve izraelite të gjalla dhe të paktën gjysmës së pengjeve të pajetë gjatë një periudhe njëjavore.
Ndërkohë, Hamasi ka propozuar ndryshime në draftin e armëpushimit, duke ofruar lirimin e 10 pengjeve izraelite të gjalla dhe kthimin e trupave të 18 të tjerëve, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë.
Tensionet në rajon mbeten të larta, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po bën përpjekje për të siguruar qasje humanitare dhe për të ulur përshkallëzimin e konfliktit. / abcnews.al


