Prokuroria ka dhënë pretencën për ish-deputetin e PD, Salianji si dhe për Fredi Alizotin, Albert Veliun, dhe gazetarin Jetmir Olldashin të akuzuar për dosjen “Babale”.
Prokurori Kol Hysenaj ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burg për ish-deputetin e PD, Ervin Salianji, por që do konvertohet në shërbim prove për 3 vite.
Sipas prokurorit, Fredi Alizoti ka bërë zërin e vëllait të ish-ministrit Xhafaj kundrejt përfitimit prej 100 mijë eurosh.
“Përgjimet nuk janë origjinale dhe regjistrimet janë të pjesshme. Nga hetimet rezultoi se zëri në video-përgjim nuk i përket Agron (Geron) Xhafajt. Ervin Salianji ka bërë njohjen ndërmjet Fredi Alizotit dhe Albert Veliut”, deklaroi prokurori në seancë.
Prokuroria ka kërkuar 1 vit burg për Jetmir Olldashin që konvertohet në 200 orë shërbim prove. Prokuroria ka kërkuar 3 vite burg për Fredi Alizotin. Ndërsa për Albert Veliun (Babale) prokuroria ka kërkuar 3 vite e 6 muaj burg.
Të pranishëm në seancë gjyqësore ishin edhe ish-deputetët e grupit parlamentar të PD./abcnews.al