Këtë të diel do të vendoset. Tirana ka mësuar kundërshtarin për finalen që do të luhet për të siguruar vendin në Superligën shqiptare sezonin e ardhshëm, dhe ky rival do të jetë Pogradeci.
Dueli do të jetë edhe më shumë interesant sepse në stolin e skuadrës liqenore ndodhet ish-kapiteni bardheblu, Ardian Mema.
Përfaqësuesi I familjes që ka dhënë më shumë për Tiranën do të duhet t’i shkaktojë një tronditje të madhe, sepse dëshiron që Pogradeci I tij të luajë vitin tjetër në elitë.
Pogradecarët e siguruan finalen për Superligën pasi mundën Besën 1-0 në përfundim të plej ofit të Kategorisë së Parë.
Ndeshjen e luajtur në “Elbasan Arenë” e vendosi goli nga goditja e dënimit, shënuar nga Alidema në pjesën e parë.
Vlen të theksohet se kavajasit ishin favoritë pasi e përfunduan në vend të tretë sezonin e rregullt në Kategorinë e Parë, ndërsa Pogradeci doli vetëm I pesti.
Edhe në gjysmëfinalen e plej ofit të kësaj kategorie, skuadra e Ardian Memës mundi një ekip që cilësohej favorit, Burrelin, madje jashtë fushe.
Dueli me Tiranën do të luhet këtë të diel, dhe mbetet të caktohet stadiumi për këtë finale.

