Derbi Partizani-Tirana nuk ka një datë se kur do zhvillohet. FSHF po heziton të vendosë në lidhje me javën e ardhshme të Superiores dhe kështu ndeshja e shumëpritur në kryeqytet dhe më gjerë është ende në ajër. Gjithsesi do të duhen disa ditë para derbit.
Tirana dhe Partizani zbresin nesër në fushë, ndërkohë që do të jenë disa futbollistë që rrezikojnë prej kartonëve të humbasin sfidën e zjarrtë të kryeqytetit. Lista e “demave të kuq” ka emra si Jasir Asani dhe Rron Broja, të cilët duhet të bëjnë kujdes nesër në Ballsh.
Në kampin bardheblu janë më të shumtë ata që duhet t’i ruhen kartonit të verdhë. Michael Ngo, Jurgen Çelhaka dhe Grent Halili janë ata që rrezikojnë prej lojtarëve që priten titullarë nesër kundër Kukësit. Kujdes duhet të bëjnë edhe Elton Cale e Agustin Torassa, nëse trajneri Julian Ahmataj vendos t’i aktivizojë gjatë ndeshjes. /abcnews.al