“Duhet bërë urgjent!” Prof. Luljeta Bozo ka një mesazh për ekipet që po kontrollojnë pallatet

schedule20:56 - 5 Dhjetor, 2019

schedule 20:56 - 5 Dhjetor, 2019

Profesorja e njohur e Inxhinierisë së Ndërtimit, Luljeta Bozo, e ftuar mbrëmjen e sotme në studion e “Mbrëmja në Abc” tha se shqetësimi i banorëve që u janë dëmtuar banesat nga termeti i 26 nëntorit është më se i drejtë. Ajo tha se duhet të shtohen grupet e inspektimit dhe brenda dy javësh urgjent duhet mbyllur i gjithë procesi i kontrollit dhe vlerësimit të pallateve apo banesave private në Durrës, Tiranë, Thumanë, Shijak, Lezhë, etj.

Sipas znj. Bozo, është shumë e rëndësishme që inxhinieri projektues, ti bashkangjitet ekipit të kontrollit. Pra në çdo pallat të dëmtuar duhet të shkojë edhe inxhinieri përkatës që ka bërë projektin. Dhe në mungesë të inxhinierit, ajo tha se grupi i kontrollit duhet të ketë patjeter projektin.

Inxhinierët e rinj

Prof. Luljeta Bozo tha se Instituti i Ndërtimit nuk ka kapacitete për të përballuar këtë situatë. Ndaj ekipeve u janë bashkëngjitur inxhinierë me moshë të re nga 28-35 vjeç që punojnë në njësitë vendore. Ajo tha se disa prej tyre nuk kanë eksperience dhe është e domosdoshme të ketë një “bari” një inxhinier me eksperience që ti drejtojë. Kjo tha ajo duhet bërë shumë shpejt, që njerëzve tu hiqet frika.

Zonat rurale

Sa i përket fshatrave, znj. Bozo tha se situata paraqitet më kritike. ” Në zonat rurale ka shtëpi shumë të vjetra, që janë ndërtuar pa asnjë masë antisizmike, ka edhe ndërtesa të reja që janë bërë nga persona jo profesionistë. “Nuk kanë marrë as usta se inxhinier jo e jo”, tha Bozo.

Po Tirana?

Sa i përket kryeqytetit, znj. Bozo këshilloi që gjithë objektet sado pak të dëmtuara duhet të riparohen në mënyrë që kur të vijë termeti i tjetër të mos shkaktojë asnjë problem. Ajo tha se godinat mund të dëmtohen nga termete 5 ballë e lart. Po kështu u shpreh se “në katet e para dhe të dyta janë ndërtuar lokale dhe objekte shërbimi që mund të kenë dalë jashtë projektit duke dëmtuar kolonat”. /Abcnews.al