Drejtori i Agjencisë për mbështetjen e Start up-eve, Arjan Ymeri deklaroi se gjatë vitit të kaluar, agjencia ka financuar rreth 38 kompani të krijuara nga gratë. Në emisionin “Sheshi i dollarit” në ABC Neës, ku po flitet për gratë në biznes, Ymeri tha se fokusin e tyre e kanë zgjeruar edhe në diasporë.
Sipas tij, shumë gra dhe vajza kanë ndërtuar kompani shumë të mira dhe të suksesshme në vendet ku jetojnë dhe kërkojnë që të jenë prezente edhe në Shqipëri. Ymeri thotë se, në bazë të statistikave, kompanitë që themelohen nga gratë janë më të qëndrueshme sesa ato që drejtohen nga burrat.
“Vetëm vjet ne kemi financuar diku te 38 kompani të ndërtuara nga gratë, me një financim mesatar prej 38 mijë eurosh. Çdo vit, në rast se ne financojmë të njëjtin numër, ose pak më të lartë të grave në biznes duke marrë shkas edhe nga historitë shumë të suksesshme që kemi parë vitet e fundit që zhvillohen në Shqipëri, qoftë ato në prodhim, dixhitalizim, në edukim etj, kemi shumë kompani të themeluara nga gra sipërmarrëse. Këtë vit ne e shtymë pak më tepër kufirin dhe targetuam edhe gratë sipërmarrëse në diasporë. Kemi shumë gra dhe vajza të talentuara, të cilat kanë ndërtuar ose janë duke ndërtuar kompani shumë të mira aty ku jetojnë. Ne duam që këto kompani të vijojnë zhvillimin e tyre nga Shqipëria. Marrim shkas jo vetëm nga sektori teknologjik, që e kemi fokusin të veçantë, por edhe nga bujqësia, energjia, robotika, edukimi. Kemi disa kompani shumë të mira në edukim të themeluara në Amerikë dhe kanë bërë hapin e radhës për të zhvilluar në Shqipëri. Kemi raste nga Brukseli dhe Viena, që ne nuk do ndalojmë duke i promovuar qoftë edhe për marsin e grave por edhe në raste të tjera ku agjencia ka mundësi t’i promovojë. Ne duam që gratë dhe vajzat që banojnë në Tiranë, edhe ato janë Tiranë dhe këtë e kemi fokusuar edhe në promovimin e thirrjes për financim, ku targetojmë grupe të caktuara nëpër qytete si Shkodra, Vlora, Durrësi, Elbasani. Ka potencial edhe në statistikat që kemi parë në BE, dhe mbase më gjerë, shikojmë që kompanitë që zhvillohen nga gratë janë më të qëndrueshme sesa ato që zhvillohen nga burrat. Kjo mbase ka të bëjë pak me kulturën e meshkujve në biznes që marrin më tepër risqe, por në pikëpamjen e qëndrueshmërisë, kompanitë që zhvillohen nga gratë janë pak më ngadalë por janë më të qëndrueshme në long term. Kjo tregon aftësi shumë të mira pse qeveria duhet të përfshiret sa më shumë në zhvillimin e këtyre sipërmarrjeve.”, u shpreh ai./abcnews.al

