Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas vendimeve të fundit të presidentes së Maqedonisë së Veriut për ndryshimet në strukturat komanduese të ushtrisë ne vend.
Zhvendosjen e gjeneralit Besnik Emini nga posti i komandantit të Komandës së Operacioneve drejt një pozite administrative në Ministrinë e Mbrojtjes, BDI-ja e ka konsideruar “goditje serioze ndaj rolit të shqiptarëve në ushtri”.
“Kjo lëvizje dobëson strukturën komanduese të ushtrisë dhe rrezikon sigurinë kombëtare”, ka thënë BDI në një reagim publik.
Sipas BDI-së, këto veprime margjinalizojnë shqiptarët dhe cenojnë drejtpërdrejt integritetin dhe sigurinë e strukturave tona mbrojtëse.
Sipas partisë së Ali Ahmetit, “përjashtimi i udhëheqësve ushtarakë shqiptarë nga pozicionet kyçe minon parimet bazë të marrëveshjes paqësore të Ohrit”,
Këto parime, siç ka thënë BDI-ja, janë thelbësore për një forcë ushtarake kohezive dhe efektive.
“Shqiptarët nuk do mbesin spektatorë por do reagojnë për të mbrojtur veten dhe interesat e tyre. I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht NATO-s, të ndërhyjë për të adresuar këtë përjashtim sistematik dhe për të siguruar që Maqedonia e Veriut të mbetet e angazhuar ndaj vlerave demokratike dhe partneriteteve strategjike.”
Sipas BDI, për herë të parë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, asnjë shqiptar nuk mban pozitat kryesore në ushtrinë e Maqedonisë së Veriut.
Sipas kësaj partie, zhvillime të tilla sugjerojnë një prirje drejt “udhëheqjes anti-NATO, pro-serbe dhe pro-ruse në ushtri”./abcnews.al

