Sinjalet i kishte dhënë, por i duhej një ndeshje si kjo e fundit për kurorëzimin. Jo si “Mbret”, titull që LeBron Xhejms nuk ka ndërmend ta dorëzojë, por si “Princ” i Los Angeles, patjetër që po.
Luka Donçiç dhuroi spektakël, duke ndihmuar Lakerës të “fitojnë qytetin”, në triumfin 108-102 kundër Clippers.
Basketbollisti slloven ishte më i miri në parket për skuadrën e tij, duke shënuar 29 pikë, ndërsa plotësoi paraqitjen e shkëlqyer me 9 asist dhe 6 topa të kapur në tabelë, duke iu afuar dy shifrave dopjo.
Donçiç la në hije LeBron Xhejms me 17 pikë, 9 asist dhe 5 ribaund.
Po ashtu, Luka kurorëzoi edhe hakmarrjen personale për largimin pa klas nga Dallas.
Të gjithë ata që e kritikonin dhe kishin dyshime për profesionalizmin e tij, duhet të shohin shifrat e tij me Lakers, ku deri tani ka një mesatare me 26.5 pikë, 8.3 ribaund dhe 7.5 asist për ndeshje.
Me dyshen Xhejms-Donçiç, Los Angeles Lakers kanë përmbysur sezonin, duke rritur ndjeshëm kuotat në garën për titullin kampion.
Fitorja në derbi, e pesta radhazi dhe me ecurinë rekord në këtë sezon të rregullt, e ka ngjitur skuadrën kaliforniane në vendin e dytë të klasifikimit në Konferencën e Perëndimit, megjithëse kryesuesit e Oklahoma City vazhdojnë të jenë të shkëputur./abcnews.al

