Në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Tiranë, u mbajt mesha përkujtimore dyzetditore e Kryepeshkopit të ndjerë, Anastasit i cili nda nga jeta më 25 janar.
Gjatë Liturgjisë Hyjnore, Episkopi i Krujës, Anastasi, lexoi testamentin e Kryepiskopit të ndjerë. Në të shkruhet se depozitat financiare i përkasin kishës ortodokse shqiptare. Amanet ka lënë përfundimin e Katedrales ‘Ngjallja e Krishtit’.
“Me hirin e Perëndisë, nuk kam as pasuri të paluajtshme, as të luajtshme. Çdo gjë që kam fituar ndër vite, tashmë është vënë në shërbim të veprave të dashurisë. Depozitat financiare në emrin tim si Kryepiskop i përkasin Kishës së Shqipërisë. I lutem ekzekutuesve të testamentit tim që gjysma e shumës së këtyre depozitave të përdoret për përfundimin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, ndërsa gjysma tjetër të ruhet dhe të investohet në mënyrë të përshtatshme, duke siguruar që të ardhurat nga këto investime të përdoren për mbështetjen e pagave të klerikëve”, thuhet në testamentin Kryepeshkopit të ndjerë që u lexua në përkujtimoren e tij.
Ndërsa pasurinë letrare, theksohet në testamentin e tij, Kryepeshkopi i ndjerë Anastas ia ka dorëzuar Bibliotekës Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” .
Në testamentin e tij, kryepeshkopi që u nda nga jeta në moshën 95 vjeçare ka shkruar gjithashtu se falte të gjithë ata që me dashje e intriga ia kishin bërë të vështirë udhëtimin e tij të cilin që nga 1991 ia kishte përkushtuar ringritjes së shumëvuajtur të kishës së Shqipërisë që e kishte dashur me gjithë shpirt.
/ abcnews.al

