Alisson Becker u shpall portieri më i mirë i vitit 2019 dhe fitoi trofeun “Yashin”. Braziliani triumfoi me një diferencë të thellë (795 pikë) kundrejt Ter Stegen (284) dhe Ederson (142). 27-vjeçari i Liverpool ka rrëfyer për France Football se çfarë ka ndikuar në rritjen e tij si portier.
“Kam pasur gjithmonë rivalë të mëdhenj dhe besoj se Zoti i ka vendosur këto futbollistë të mëdhenj në rrugën time në mënyrë që të përmirësohesha ditë pas dite“, thekson Alisson duke iu referuar polakut Szczesny dhe Ederson, me të cilët luftoi fort për një post titullari te Roma dhe Brazili.
Konkurrenti i parë ishte Muriel, vëllai i tij që luante portier i Internacional. Gara për një post titullari ishte e fortë dhe Alisson ia doli të bëhej ai portieri i parë. “Kemi konkurruar gjithmonë me njëri-tjetrin për t’u bërë më të mirët. Nuk e cilësoja kurrë si një rival, thjesht si mbështetje. Ndonjëherë nuk i gjej fjalët për të treguar se çfarë personifikon për mua vëllai i madh“, përfundon portieri i kampionëve të Europës. /abcnews.al