Nga Londra, ku mori pjesë në Samitin e NATO-s, kryeministri Rama deklaron se ka gjetur solidaritetn e anëtarëve të Aleancës për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e pasojave të tërmetit të 26 Nëntorit. Shefi i qeverisë tha se bashkëpunimi me opozitën duhet të tejkalojë deklaratat në distancë.
Kryeministri Rama ishte në Londër ku mori pjesë në Samitin e NATO-s, që përkon me 70 vjetorin e krijimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Siç kishte bërë të ditur, kishte shkuar për të kërkuar mbështetje nga anëtarët e aleancës për situatën e vështirë që po kalon vendi me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit. Rama tha se kishte gjetur mbështetje.
“U ndjeva i inkurajuar nga fakti që të gjithë jo vetëm ishin në dijeni por ishin edhe të interesuar të dinin më shumë dhe faktikisht kemi diskutuar me partnerët europianë, kam bërë bisedë të gjatë me presidentin e Francës, me kancelaren, me kryeministrin e Hollandës dhe me një sërë liderësh të tjerë. Kryeministrja e Danimarkës ka qënë e përfshirë dhe e interesuar, Kryeministri Konte e po kështu edhe kryeministri i Kanadasë. Me presidentin Trump kemi folur, me presidentin Erdogan dhe të shikojmë tani më tutje, por qëllimi është të organizojmë një konferencë të madhe donatorësh, kjo ka qënë ajo që unë kam kërkuar. Reagimet e para janë pozitive, të shohim më tutje, por duhet punuar intensivisht, do vazhdojmë punën intensive në këtë drejtim”,tha Rama.
Ideja e bashkëpunimit me opozitën thotë se duket të tejkalojë historinë e deklaratave në distancë, por ende nuk ka një propozim konkret për t’u ulur me Bashën.
‘’Nuk ka asnjë sens që të vazhdojë historia me deklarata dhe komunikata në distancë, kur ne të gjithë jemi të goditur nga e njëjta tragjedi dhe të gjithë kemi si qëllim të ndërtojmë çatinë e një shtëpie më të madhe se ajo e politikës, çatinë e Shqipërisë’’, u shpreh kryeministri.
Kryeministri duket se nuk do e ndalë këtu impenjimin për të kërkuar mbështetje nga vendet e tjera. Ndalesa e rradhës pas Londrës, do jetë Roma./abcnews.al