Në Kuvend, po zhvillohet një interpelancë me ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha, e thirrur nga deputeti Asllan Dogjani. Ministri u shpreh se gjatë këtyre viteve qeverisje ka pasur rezultate pozitive në fushën e sigurisë ndërsa shtoi se në 2024, është regjistruar numri më i ulët i veprave penale.
“Për këtë interpelancë ngrihet pretendimi se sot ka më shumë vrasje, të paktën ka më pak siguri dhe zbulueshmëri të veprave penale. Nuk do të marr shumë kohë me të dhëna numerike pasi po flasim për jetë njerëzish dhe s’mund të bëjmë politike por s’do të thotë të baltohet kaq lehtë puna e policisë së shtetit. Nëse ndalojmë te numrat nga vitit 2013 deri më sot ka rënie progresive të numrit të vrasjeve nga viti në vit duke shënuar një rekord të minimumit historik, gjatë dy viteve të fundit, në 2024 kemi pasur 41 vrasje në vit dhe në 2023 rekord 35 vrasje në vit kundrejt 126 vrasjeve të ndodhura në vitin 2012. Kjo është e vërteta për të gjithë publikun.
Sa i takon zbulueshmërisë së kësaj vepre penale, deri në këto momente janë zbuluar 86 për qind e veprave penale “vrasje me dashje” dhe 94 për qind të rasteve “vrasje e mbetur në tentativë”. Gjatë 2024, është regjistruar numri më i ulët i veprave penale gjatë 10 viteve të fundit, rënie me 2 për qind krahasuar me mesataren e dy viteve të fundit dhe 8 për qind krahasuar me mesataren e tre viteve më parë.”, u shpreh Hoxha./abcnews.al


