Ka nisur mbledhja e Grupit Parlamentar të PS, me kërkesë të kryetares së Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, për të dhënë shpjegime publike mbi përfshirjen e emrit të saj në aktakuzën ndaj Erion Veliajt.
Kryeministri Edi Rama tha se qëndrimi i PS ndaj institucioneve të drejtësisë mbetet i pandryshuar, ndërsa shtoi se edhe pavarësia e prokurorëve dhe gjyqtarëve duhet të jetë e panegociueshme.
“Është një takim jashtë radhe i grupit me kërkesë të kryetares së komisionit të ligjeve, gjë që e kemi pranuar për faktin se të gjithë jemi në një farë mënyre që figuron në atë aktakuzën e kryetari të bashkisë, ndërkohë që kryetarja e komisionit të ligjeve e ka marrë vesh përfshirjen e saj nga televizori. As nuk është thirrur as nuk është pyetur as nuk është dëgjuar version i saj.
Dua të bëj të qartë që qëndrimi ynë lidhur me mbështetjen pa rezerva të çdo procesi të drejtësisë të institucioneve të reja të drejtësisë, që kanë detyrën të bëjnë luftë pa kompromis kundër korrupsionit, mbetet qëndrim i pandryshuar. Ajo që ndryshon është që ne kemi detyrën të kontribuojmë jo thjesht me mbështetjen e padiskutueshme institucionale dhe politike ndaj institucioneve të reja të drejtësisë por edhe me opinionet tona në mënyrë që pavarësia e panegociueshme e prokurorëve dhe gjykatësve të jetë sa më e lidhur me profesionalizmin dhe me garantimin e standarteve demokratike të çdo procesi. Në të kundërt ne biem në një situatë që ngjan më shumë me të shkuarën sesa më të ardhmen se diktaturë apo republikë hetuesish Shqipëria ka pasur në të shkuarën. Kjo është republikë parlamentare ku në bazë të kushtetutës pushtetet janë të pavarura.”, u shpreh Rama./abcnews.al


