Finalizohet operacioni policor i koduar “Wanted”. Në pranga ka rënë 47-vjeçari, pjesë e një grupi kriminal në trafikimin e lëndëve narkotike.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin e datës 29.07.2020, e ka dënuar këtë shtetas me 6 vite e 8 muaj burgim (të cilit i ka mbetur për të vuajtur 2 vjet e 8 muaj e 4 ditë burgim), për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal.
47-vjeçari ka qenë pjesë e një grupi kriminal në vitin 2018 në trafikimin e lëndëve narkotike me shtetet e BE-së.
Në goditjen e këtij grupi kriminal në vitet 2017-2018, janë zhvilluar 12 operacione policore kombëtare dhe ndërkombëtare konkretisht në Shqipëri, Greqi, Turqi, Maqedoni, Itali, ku janë arrestuar gjithsej 66 shtetas midis tyre të huaj dhe shqiptarë si dhe janë sekuestruar 8.4 ton lëndë narkotike Cannabis Sativa, municione luftarake, automjete, telefona, si dhe shuma të konsiderueshme parash.
Në vijim të veprimeve shtetasi O. I., iu dorëzua shërbimeve të DVP Korçë, ku nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve u bë ndalimi i tij dhe referimi i materialeve për veprime të mëtejshme në Prokurori.

