Zgjedhjet, nis numërimi mbrapsht/ Kreu i Odës Ekonomike: Kurti ka dëmtuar imazhin e Kosovës, s’ka projekte apo investime kapitale

schedule17:31 - 31 Janar, 2025

schedule 17:31 - 31 Janar, 2025

PRISHTINË- Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, kritikoi ashpër qeverinë e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.

Gjatë një interviste për “Ballkan Update” në ABC News, Rafuna theksoi  se qeveria Kurti e ka shkatërruar imazhin e vendit dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në mungesë të investimeve të huaja në vend.

Ai theksoi se qeveria e re, e cila do konfirmohet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, do duhet me urgjencë të korrigjojë gabimet trashanike të qeverisë Kurti. Ai pohoi se vendi ka nevojë për zhvillim, frymë dhe vizion të ri politik.

“Presim masa dhe investimet konkrete nga qeveria për investimet kapitale.  Presim që qeveria e re të punojë më shumë në përmirësimin e imazhit të Kosovës, pasi nuk kemi patur investime të huaja. Imazhi mendoj se ne nuk kemi pasur investime të huaja. Me qeverinë e re, këto çështjet do duhet të kalohen. Kosova ka nevojë për ndryshim”, tha ai.

Ai theksoi se tre partitë opozitare, si PDK, LDK dhe AAK, kanë prezantuar programe konkrete për zhvillimin ekonomik dhe të sektorëve të ndryshëm, kurse Vetëvendosje ka konsumuar retorikë boshe dhe pa baza konkrete.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje sektorin e turizmit e kanë lanë në harresë të plotë.

“ PDK dhe LDK e kanë të parashikuar zhvillimin e turizmit.  Turizmi në Kosovës është lënë në harresë. Qeveria Kurti nuk ka patur asnjë investim”, tha ai.

Sipas kreut të Odës Ekonomike të Kosovës, në këto katër vite të qeverisë Kurti nuk është realizuar asnjë projekt kapital, i cili do t’i shërbente nevojave ekonomike të vendit.

“Nuk kemi parë asnjë rrugë, asnjë hekurudhë ose projekt rrugor që ka përfunduar. Nuk e kemi një autostradë, rrugë hekurudhë të përfunduar. Në këto katër vite nuk kemi asnjë projekt kapital, me të cilin do kishim mundësi të mburremi.  Në këto tre vjet nuk kemi pasur ngritje të standardeve të zyrtarëve në sektorin e publik. Ata kanë kaluar në sektorin privat”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!