Pas një pauze më shumë se dy mujore, marrëveshja Itali – Shqipëri për emigrantët është aktivizuar sërish. Mediat italiane kanë raportuar se në bordin e kësaj anije ndodhen aktualisht 11 emigrantë të paligjshëm me nënshtetësi nga Bangladeshi dhe Egjipti që pritet të vijë në Gjadër.
Anija e marinës italiane “Cassiopea” ndodhet në brigjet e Lampedusas dhe pritet të niset drejt Shqipërisë në orët në vijim pasi në bordin e saj të ketë më shumë emigrantë të paligjshëm që kanë mbërritur ilegalisht në Itali.
Prej fillimit të muajit Janar, në qendrën pritëse të Shëngjinit dhe kampit të Gjadrit është shtuar numri i personelit dhe gjithçka është gati për të vijuar misionin konform rregullave të përcaktuara mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët.
Disa herë qeveria italiane u ndalua nga gjykatat për të sjellë emigrantët në Shëngjin dhe Gjadër. Ajo u fut në një betejë me gjyqësorin për shkak të listës së vendeve të origjinës dhe azilkërkuesve, ku qeveria italiane pretendonte se nuk duhet të ketë një listë të unifikuar për të gjitha shtetet e BE.
Më 30 dhjetor 2024, gjykata e Kasacionit në Itali i dha të drejtë Giorgia Melonit dhe kabinetit të saj, të cilët pretendojnë se secili shtet duhet të ketë një listë të personalizuar të vendeve të sigurta dhe të pasigurta. Ndër të tjera për pjesën e listës të vendeve të sigurta, gjykata e Kasacionit tha se gjyqtarët e çështjeve të secilit rast nuk zëvendësojnë vlerësimin, i cili në përgjithësi është përgjegjësi vetëm e ministrit të Jashtëm dhe ministrave të tjerë.
Marrëveshja Shqipëri-Itali për trajtimin e emigracionit të paligjshëm është konsideruar një marrëveshje model nga BE, që mund të shërbejë si shembull për të zgjidhur çështjen e emigracionit të paligjshëm, me të cilën përballet unioni 27 anëtarësh./abcnews.al


