Donald Trump pritet të hyjë këtë të hënë sërish në Shtëpinë e Bardhë për herë të dytë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por duke premtuar të ndryshojë në katër vjet historinë e vendit. Pasi të bëjë betimin brenda Capitolit, Trump do të mbajë fjalimin tradicional të inaugurimit.
Ish ambasadori i Kosovës në Katar Amir Ahmeti, në një intervistë për emisionin “Faqja 4”, deklaroi se rikthimi i Donald Trump do të jetë më i fortë se herën e parë.
“Kemi një Trump tjetër. Trump që është në Shtëpinë e Bardhë sot, nuk ka qenë 4 vite më parë”, u shpreh ish ambasadori.
Duke u ndalur te premtimet e Trump, ai tha se fokusi këtë herë, përveç Evropës, do të jetë edhe Amerika Latine.
“Trump fitoi presidencën me kauzat e problemeve të brendshme. Papunësia, familja, duke i bërë ballë agjendave denigruese të LGBT dhe emigrantët e paligjshëm. Këto ishin pikat kryesore të Trump që fitoi zgjedhjet. Nëse do të kemi vendime ekzekutive të Trump do të jenë në vijën që ka premtuar në të kaluarën. Por në pikat ndërkombëtare, mendoj se do të ketë fokus vendet e Amerikës Latine. Vetë emërimi i sekretarit Rubio, me prejardhje kubaneze, ka lënë të kuptohet se SHBA do të krijojë raporte të tjera dhe fokusi do të jetë, përveç Evropës, edhe Amerika Latine, në një fokus më të shtuar sesa në të kaluarën.”, shtoi Ahmeti.
Sa i përket deklaratës së Trump për luftën në Ukrainë, ai tha se ky konflikt duhet të përfundojë, pasi do të ishte në dobi jo vetëm të ukrainasve,por edhe të Evropës dhe Ballkanit.
“Lufta nuk po sjell asnjë rezultat. Mendoj se duhet të përfundojë, qoftë në të mirën të ukrainasve por edhe në të Evropës. Kjo do të jetë e dobishme edhe për ne në Ballkan, por edhe për Evropën dhe Ukrainën“, u shpreh ish ambasadori./abcnews.al

