E meriton çdo euro që fiton. Mario Mitaj jo më kot e ka rrogën 3 milionë euro në sezon në Arabinë Saudite, dhe këtë rritje të madhe financiare, dëshiron ta shoqërojë me një sukses edhe më të madh sportiv.
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare po synon titullin në Ligën Profesioniste të vendit të madh të Gjirit Persik, dhe ekipi I tij, Al Itihad, është në vend të parë të renditjes, bashkë me kampionen në fuqi, Al Hilal.
Mitaj, që është thuajse gjithmonë titullar, është ndër lojtarët më të vlerësuar. Nota e tij mesatare është 7.30, duke qenë i pesti në një ekip që ka 24 apo 25 futbollistë.
Vetëm yje të tillë si Karim Benzema, Ngolo Kante, Musa Diabi apo portieri Rajkoviç janë më shumë të vlerësuar se shqiptari.
Edhe pse 21-vjeçar, dhe edhe pse është në sezonin e parë në Arabi, sërish Mitaj po luan si një veteran, ndërsa vlera e kartonit të tij është rritur nga 3.5 milionë euro në verë, në 4.5 milionë euro në mesin e dhjetorit. Jo keq për një mbrojtës, aq më tepër shqiptar dhe që deri tani ka luajtur në Greqi dhe tek Lokomotiva e Moskës.
Futbollisti kuqezi ka shënuar këtë sezon një gol, dhe ka shërbyer 4 asistë. Golin dhe dy asistë I ka në ligën saudite, ndërsa një asist e ka në Premier Ligën ruse dhe një në Kupën e Rusisë.
Besohet se ky është vetëm fillimi I suksesit në karrierë për Mario Mitajn, ndërsa Al Itihad ka 37 pikë në renditje, po aq sa Al Hilal dhe titulli është krejtësisht I mundshëm./abcnews.al