Kryeministri Edi Rama ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të pjesëmarrjes në Javën e Qëndrueshmërisë së Abu Dhabit 2025, (Abu Dhabi Sustainability Week (ADSW), ku sot iu adresua Samitit global të zhvilluar me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve dhe liderëve botërorë, politikëbërësve të lartë dhe specialistëve të industrisë.
Në fjalën e tij, Kryeministri informoi lidhur me marreveshjen strategjike mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. “Dua po kështu me këtë rast t’u informoj se sot shumë shpejt do të nënshkruajmë një marrëveshje mjaft të rëndësishme strategjike, së bashku me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për kabllot nënujore që është përmendur, si një instrument shumë i rëndësishëm, jo vetëm për transmetimin e energjisë së përtëritshme nga Shqipëria në Itali, por po kështu për të rritur kapacitetin e Shqipërisë si një lojtar kyç në rajon, mbështetur në prodhimin e saj me 100 % energji të ripërtëritshme.” – u shpreh ai.
Fjala e plote:
Është nder i madh për mua që të marr fjalën për të prezantuar atë çfarë po formëson, jo vetëm të ardhmen e Shqipërisë, por konkretisht atë çfarë në këtë moment në kohë është e ardhmja e Shqipërisë që po formësohet nga çuarja përpara e energjisë së pastër dhe forcimi i partneriteteve ndërkombëtare specifikisht me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Më lini të shpreh mirënjohjen me të thellë për Lartësinë e tij Sheikh Mohammed bin Zayed për mbështetjen e tij të vazhdueshme dhe kujdesin e veçantë dhe frymëzimin që ka qenë për mua dhe për ne në këtë rrugë përpara, ku së bashku dhe falë Emirateve të Bashkuara Arabe dhe dijes së shkëlqyer që ka për këtë çështje ne po diversifikojmë dhe po transformojmë sektorin energjetik shqiptar.
Më lini t’iu informoj se prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri është ndërkohë që flasim 100 % nga burime të ripërtëritshme. Përqindja e energjisë së përsëritshme të Shqipërisë në kërkesën fundore për energji është 44 %. Kjo e bën Shqipërinë pjesë të vendeve që janë në krye të listës së vendeve europiane dhe bashkë me vendet skandinave kur vjen fjala për përqindjen e energjisë së përtëritshme, pra për numrin për masën e kësaj energjie, për kërkesën fundore për energji.
Dua po kështu me këtë rast përfitoj për t’iu informuar se sot shumë shpejt do të nënshkruajmë një marrëveshje shumë të rëndësishme strategjike së bashku me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për kabllot nën ujore që është përmendur si një instrument shumë i rëndësishëm, jo vetëm për transmetimin e energjisë së përtërishme nga Shqipëria në Itali, po kështu për të rritur kapacitetin e Shqipërisë si një lojtar kyç në rajon, mbështetur në prodhimin e saj me 100 % energji të përtërishme.
Ky hap shumë i rëndësishëm për rajonin edhe për Evropën gjithashtu nuk do të kishte qenë i mundur pa bashkëpunimin domethënës me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe pa vëmendjen e posaçme të Sheikh Mohammed bin Zayed, e po kështu edhe pa dikë që dua ta përmend sepse ka qenë kyç në orientimin tonë drejt këtij rrugëtimi Dr. Sultan Ahmed Al Jaber.
Pa marrë shumë kohë dua të theksoj se partneriteti i Shqipërisë me Emiratet e Bashkuara Arabe në sektorin energjetik është shumë i rëndësishëm për një rajon ku shumë luftëra, shumë konflikte, gjakderdhje shumë keqkuptime i kanë dhënë formë tashmë të shkuarës sonë dhe ku bashkëpunimi dhe dëshira e përbashkët për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane duhet mbështetur në nisma konkrete dhe me hapa konkrete për të kapërcyer të shkuarën.
Në këtë drejtim bashkëpunimi që ka nisur midis kompanisë shtetërore të energjisë (KESH) në Shqipëri dhe Masdar-it synon të zhvillojë deri në 3 gigavat prodhim të energjisë së përtëritshme, për të pasur një rrjet të integruar e të mirë organizuar në tregun europian, natyrisht duke nisur nga rajoni, është një kontribut shumë, shumë i rëndësishëm, jo vetëm për energjinë, por për paqen dhe bashkëpunim në rajon, në mënyrë të tillë që të gjithë ne duam të arrijmë duke u bashkuar me familjen e bashkuar europiane.
Më lini ta përmbyll duke shprehur mirënjohjen time edhe për dikë që sapo hyri në sallë dhe me të drejtë të gjithë u ngritët në këmbë që është kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, e cila është këtu për të marrë pjesë në këtë javë fantastike të qëndrueshmërisë, por po kështu për ta bekuar këtë marrëveshje shumë të rëndësishme midis Italisë, Emirateve të Bashkuara arabe dhe Shqipërisë.