Kohë të vështira për lojtarët tanë. Nuk mjaftoi fatkeqësia e Armando Brojës, por kombëtarja shqiptare merr edhe dy lajme të tjera të këqija, këtë herë nga Italia. Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli u dëmtuan në ndeshjet e kësaj fundjave në Serinë A, duke dalë nga fusha e lojës katër minuta në distancë me njëri-tjetrin.
Fillimisht, u ndje keq Ismajli, i cili u shtri në tokë dhe kërkoi zëvendësim në ndeshjen e elitës italiane, që Empoli e luajti në fushën e vet ndaj Leçes, dhe e humbi 1-3.
Qendërmbrojtësi shqiptar nga Kosova doli nga loja në 21’, ndërsa nuk pati duel me Ylber Ramadanin, I cili u aktivizua vetëm 8 minuta para fundit, ndërsa Medon Berisha mbetet I dëmtuar.
Nuk dihet se çfarë lloj dëmtimi apo se në çfarë shkalle është lënduar Ismajli, por duhet të jetë diçka muskulare. Gjimshiti pati një përplasje në lojë, në ndeshjen gjithashtu në Serinë A mes Udinezes dhe Atalantës.
Kapiteni i Kombëtares u zëvendësua në 24’ pasi u godit kokë më kokë me një kundërshtar dhe doli i fashuar. Besohet se mbrojtësi 31-vjeçar nuk duhet të ketë ndonjë problem serioz, dhe mungesa e tij pritet e shkurtër, edhe pse duhen pritur analizat mjekësore.