Danimarka është “e hapur për dialog” dhe ka thënë se është e gatshme të “bashkëpunojë” me Shtetet e Bashkuara pasi Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka shprehur dëshirën për të aneksuar Grenlandën, u tha gazetarëve Ministri i Jashtëm i Danimarkës.
Mbretëria e Danimarkës, e cila përfshin Danimarkën kontinentale, Grenlandën dhe Ishujt Faroe, është “e hapur për dialog me amerikanët rreth mënyrës sesi mund të punojmë së bashku, ndoshta edhe më afër se sa ne tashmë”, tha Lars Locke Rasmussen pa dhënë detaje të mëtejshme.
Kreu i diplomacisë daneze vuri në dukje, gjatë një konference për shtyp, se shkrirja e akullit dhe hapja e korsive të reja detare në Arktik çojnë në një “rivalitet në rritje midis fuqive të mëdha” në rajon, me praninë në të njëjtën kohë të Kinës dhe Rusisë.
“Është krejtësisht legjitime që Shtetet e Bashkuara dhe NATO dhe për rrjedhojë Mbretëria e Danimarkës të jenë të vetëdijshme për këtë”, shtoi ai.
Donald Trump tha para Krishtlindjeve se kontrolli i Grenlandës ishte “një domosdoshmëri absolute” për “sigurinë kombëtare dhe lirinë në mbarë botën”.
Të martën, Trump refuzoi të përjashtonte përdorimin e forcës (ushtarake) për ta aneksuar atë, duke shkaktuar shqetësim në rajonin e përhapur dhe në Kopenhagë dhe kryeqytete të tjera evropiane, me Parisin që denoncoi “një formë imperializmi”.
Loke Rasmussen bëri thirrje për qetësi.
“Jo gjithçka që mendojmë duhet të thuhet me zë të lartë”, tha ai.
“Unë përpiqem të punoj brenda realitetit dhe mendoj se të gjithë duhet t’i bëjmë vetes favorin për të ngadalësuar pak rrahjet e zemrës.“./abcnews.al