Kriza politike në Austri, ministri i Jashtëm caktohet kancelar i përkohshëm

schedule17:03 - 8 Janar, 2025

schedule 17:03 - 8 Janar, 2025

Pas dorëheqjes së kancelarit Nehammer, ministri i Jashtëm austriak Schallenberg do të drejtojë qeverinë në mënyrë të përkohshme. Detyra për të formuar një qeveri tani i takon partisë populiste të krahut të djathtë FPÖ.

Në Austri, Ministri i Jashtëm Alexander Schallenberg do të udhëheqë koalicionin aktual si kancelar i ri federal derisa të ndodhë një ndryshim i qeverisë. Kjo është bërë e ditur nga zyra e presidentit federal të Austrisë Alexander Van der Bellen.

Ish-kancelari federal dhe udhëheqësi i ÖVP Karl Nehammer njoftoi dorëheqjen e tij të shtunën. Negociatat e koalicionit midis ÖVP-së konservatore dhe SPÖ-së socialdemokrate kishin dështuar më parë, njësoj si edhe bisedimet për një koalicion tre-partiak me NEOS-in liberal. Nehammer pritet të paraqesë zyrtarisht dorëheqjen të premten.

FPÖ ngarkohet me formimin e qeverisë

Schallenberg, 55 vjeç, ka qenë kreu i diplomacisë austriake që nga viti 2019, me një ndërprerje të shkurtër. Përveç rolit të tij si kreu i përkohshëm i qeverisë, ai do të mbetet ministër i Jashtëm. Ai gjithashtu mori drejtimin e kancelarisë për disa javë në fund të vitit 2021, gjatë një faze të tranzicionit politik. Në atë kohë, Schallenbergu pasoi Sebastian Kurz-in, i cili kishte dhënë dorëheqjen si kancelar austriak përballë hetimeve për korrupsion.

Pas dështimit të përpjekjeve për të formuar një koalicion të partive të qendrës politike, presidenti i Austrisë Van der Bellen ngrkoi të hënën liderin kontrovers të partisë populiste të krahut të djathtë FPÖ, Herbert Kickl, për të formuar një qeveri. Ai duhet të negociojë një koalicion të mundshëm me ÖVP.

Megjithëse FPÖ fitoi zgjedhjet në shtator, mandati për të formuar një qeveri fillimisht iu dha partisë së dytë në zgjedhje, ÖVP-së së kancelarit Nehammer. Van der Bellen e arsyetoi këtë vendim duke thënë se të gjitha partitë e tjera kishin përjashtuar bashkëpunimin me populistët e djathtë. ÖVP kishte njoftuar se nuk dëshironte të krijonte një koalicion me FPÖ të udhëhequr nga Kickl. Ky qëndrim duket se tani ka ndryshuar.

Kickl vendos kushte

Pasditen e djeshme, presidiumi federal i FPÖ votoi unanimisht pro hyrjes në negociata për koalicion. Kickl kërkoi që ÖVP të miratojë një “politikë për ndryshim të vërtetë, rindërtim dhe fillimin e një epoke të re”.

Kickl do të ishte kancelari i parë austriak nga partia populiste e krahut të djathtë FPÖ. Nga dhjetori 2017 deri në maj 2019, ai ishte Ministër i Brendshëm në një qeveri federale që atëherë drejtohej nga ÖVP. Partia e tij ka qenë tashmë tre herë partnere e vogël në një koalicion qeveritar, por asnjë nga aleancat nuk zgjati deri në fund.

Schallenberg nuk dëshiron të jetë pjesë e një qeverie të FPÖ

Politikani i ÖVP Schallenberg nuk dëshiron të jetë pjesë e një qeverie të mundshme të udhëhequr nga FPÖ nën Kickl. Ai e konsideron veten proevropian dhe mbështet sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Kickl, nga ana e tij, ndjek një linjë kritike ndaj BE dhe favorizuese për Moskën.

FPÖ fitoi pothuajse 13 pikë përqindje në zgjedhjet e shtatorit dhe mori numrin më të madh të votave me rreth 29%.Nëse negociatat e koalicionit me ÖVP dështojnë, Kickl kërcënon me zgjedhje të reja. Sipas sondazheve aktuale, partia e tij ka rritur ndjeshëm epërsinë ndaj ÖVP dhe SPÖ që nga zgjedhjet./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!