Publikohen listat e votuesve, ministri i Brendshëm: Mbi 3.7 milionë shqiptarë me të drejtë vote. Do të hapen 5050 qendra votimi

schedule16:46 - 6 Janar, 2025

schedule 16:46 - 6 Janar, 2025

Afro katër muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ministria e brendshme ka publikuar listat paraprake të votuesve. Referuar të dhënave nga drejtoria e gjendjes civile, ministri Ervin Hoxha tha se në 11 maj të drejtën e votës e gëzojnë 3 milionë e 721 mijë e 116 shtetas.

“Sipas të dhënave, të drejtën e votës e gëzojnë 3 721 116 shtetas shqiptarë. Ndër ta, 50.5 % janë zgjedhës meshkuj dhe 49.5 % janë femra. Deri në këtë moment të papërfshirë në listë janë 4,536 shtetas, të cilët janë mbi 100 vjeç, që mbushin apo kanë mbushur këtë moshë deri në 11 maj 2025. Aktualisht numri i përgjithshëm i qendrave të votimit brenda limiteve është 5,050”, tha Hoxha.

Një thirrje Hoxha e kishte edhe për qytetarët jashtë Shqipërisë, të cilëve u kërkoi të rinovojnë dokumentet e identifikimit për të shmangur pengesat gjatë regjistrimit, proces që nis me 11 janar. Lista paraprake e votuesve do të publikohet më 9 mars 2025, me një afat 48 orësh për zgjedhësit që të konfirmojnë vendin ku do të votojnë.

“Për regjistrimin nevojitet një pajisje elektronike për verifikimin nëpërmjet fotografimit të fytyrës për regjistrimin në PER dhe skanimin apo fotografimin e dokumentit të identifikimit dhe të dokumentit tjetër të deklarimit të adresës. Ndaj është shumë e domosdoshme dhe apeloj çdo shtetas shqiptar që jeton jashtë vendit, të rinovojë dokumentet e identifikim, duke patur të paktën njërin prej tyre të vlefshëm përgjatë këtij procesi.“, shtoi Hoxha.

Hoxha tha se ministria e Brendshme në bashkëpunim edhe me institucionet përkatës ka marrë të gjitha masat që procesi i votimit të jetë sa më transparent./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!