Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka njoftuar se ka filluar sot periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi.
Sipas njoftimit të KQZ-së kjo periudhë 9 janar – 8 shkurt 2025 do të vlejë vetëm për shtetasit që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe që gjatë regjistrimit janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit, duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
“Shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për të votuar fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, njoftohen se procesi i votimit do të mbahet më 8 shkurt 2025. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar individualisht të gjithë votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës për procedurën e votimit”, thuhet në njoftim.