KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili nuk i është përgjigjur thirrjes së Prokurorisë Speciale të Kosovës për t’u pyetur lidhur me një rast korrupsioni ku implikohen ministra të qeverisë të tij, ka sulmuar ashpër prokurorinë.
Ai shkoi dhe më tej në sulmin e paprecedentë, teksa i quajti prokurorët e Kosovës, “kërmij”, dhe “lepuj”. Analisti Lavdim Hamiti, i ftuar në “Ballkan Update” në ABC News tha se sulmet e Albin Kurti ndaj prokurorëve janë brutale.
Sipas tij, qeveria e Kosovës dhe Albin Kurti kanë ndërmarrë sulme të vazhdueshme ndaj drejtësisë dhe kanë tentuar ta kenë nën kontroll atë.
Ai theksoi se kjo qasja e tij nuk do mund të realizohet për vetë faktin se është në fund të mandatit të tij qeverisës.
“Sulmet e Albinit ndaj Prokurorisë Speciale janë brutale. Sulme të tilla kanë ndodhur në vazhdimësi, qeveria e Republikës së Kosovës dhe Kurti kanë tentuar që ta kenë në kontroll prokurorinë dhe nuk besoj se do t’ia arrijnë, pasi janë në fund të mandatit.”, tha ai./abcnews.al