Ministria palestineze: Forcat izraelite ndalojnë drejtorin e spitalit në Gazën veriore

schedule12:32 - 28 Dhjetor, 2024

schedule 12:32 - 28 Dhjetor, 2024

Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza të drejtuar nga Hamasi njoftuan se forcat izraelite arrestuan drejtorin e spitalit Kamal Advan në veri të Gazës, Hossam Abu Safieh.

Në deklaratë thuhet se forcat izraelite morën dhjetëra personel mjekësor nga Spitali Kamal Advan në një qendër paraburgimi për t’u marrë në pyetje, përfshirë drejtorin Hossam Abu Safieh.

Agjencia e Mbrojtjes Civile të Gazës deklaroi gjithashtu se Abu Safiyeh u mor në paraburgim dhe se në mesin e të arrestuarve ishte drejtori i agjencisë për Rripin verior të Gazës, Ahmed Hassan al-Kahlut.

Zyrtarët palestinezë të Ministrisë së Shëndetësisë thanë të premten se ushtarët izraelitë sulmuan Spitalin Kamal Advan dhe i vunë flakën, pasi më parë kishin hequr me forcë stafin dhe pacientët.

Ndërkohë, ushtria izraelite ende nuk i ka konfirmuar këto arrestime./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!