Presidenti panamez, Jose Raul Mulino përjashtoi mundësinë e negociatave me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, mbi kontrollin e Kanalit të Panamasë, duke mohuar se Kina po ndërhynte në operacionin e tij.
Mulino hodhi poshtë gjithashtu mundësinë e reduktimit të tarifave për anijet amerikane në përgjigje të kërcënimit të Trump që kontrolli i rrugës ujore jetike që lidh Oqeanin Atlantik dhe Paqësor t’i kthehet Uashingtonit.
“Nuk ka asgjë për të folur”, tha Mulino në një konferencë për shtyp.
“Kanali është panamez dhe i përket panamezëve. Nuk ka asnjë mundësi për të hapur asnjë lloj bisede rreth këtij realiteti, i cili i ka kushtuar vendit gjak, djersë dhe lot”, shtoi ai.
Kanali, i inauguruar në vitin 1914, u ndërtua nga Shtetet e Bashkuara, por iu dorëzua Panamasë më 31 dhjetor 1999, sipas traktateve të nënshkruara dy dekada më parë nga presidenti i atëhershëm amerikan Jimmy Carter dhe udhëheqësi nacionalist panamez Omar Torrijos.
Trump kritikoi të shtunën ato që ai i quajti tarifat “qesharake” për anijet amerikane që kalojnë përmes kanalit dhe la të kuptohet për ndikimin në rritje të Kinës.
“Ishte vetëm për të menaxhuar Panamanë, jo Kinën apo ndonjë tjetër”, tha Trump në një postim në platformën e tij “Truth Social”. “Ne nuk do ta lëmë kurrë të bjerë në duar të gabuara!”/abcnews.al


