Ministria Mirela Kumbaro, e ftuar në ‘Real Story’ u ndal tek rregullat e reja për menaxhimin e plazhit gjatë sezonit veror. Kumbaro u shpreh se plazhi është pronë publike dhe e drejtë e të gjithve.
Gjatë intervistës, ministria u shpreh se do të jepen me qira ato plazhe që janë karshi investimeve serioze dhe pranë hoteleve me standarte të larta.
“Askush nuk pengon një investitor të investojë në një bar apo restorant. Një ndër ankesat që ka pasur është që ka pasur shumë hapësira plazhesh që ishin të okupuar nga menaxhimi privat pavarësisht se në plazhet e lira nuk kanë qenë të tëra të plotësuara. Sivjet kemi bërë një ndryshim, plazhet publike i dyfishojmë dhe i rishpërndajmë në territore në mënyrë proporcionale. Por nëse ju keni një restorant, nuk do të thotë që duhet të menaxhoni në mënyrë private plazhin përballë. Plazhi vazhdon publik sespe është pasuri publike njësoj si dielli dhe uji dhe nuk është aset që duhet shfrytëzuar nga restoranti. Në plazh duhet të vijë kushdo. Plazhi është pronë publike dhe e drejtë e të gjithëve për tu përdorur.
Do të jepen me qira ato plazhe që janë karshi një investimi serioz, afatgjatë të rëndësishëm pra hoteleve aq më tepër që kanë një standart të lartë. Që domethënë biznesi kryesor në një investim turizmi në bregdet nuk mund të jetë plazhi, duhet të jetë shërbimi, hoteli, restoranti, ndërsa plazhet e tjera janë plazhe ku secili është i lirë të shkojë. Rritet përgjegjësia për pushtetin vendor që ka detyrën për mbajtjen pastër të territoreve dhe hapësirave publike.
Prej tre vjetësh kemi shtuar një shërbim plus, ‘Operacioni i plazhit të pastër’ që agjensia prej 15 qershor -15 shtatorit i bashkohet forcës së bashkisë së qytetit duke dyfishuar mjetet e pastrimit, forcat njerëzore dhe kohën e pastrimit. Është sfidë e madhe, por jemi për t’i përballuar. Nuk themi që e kemi arritur standartin e pastërtisë, por është cdo vit e më i pastër.” / abcnews.al