Kosovë/ KQZ nuk certifikon Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje

schedule16:19 - 23 Dhjetor, 2024

schedule 16:19 - 23 Dhjetor, 2024

Komisioni qendror i zgjedhjeve në Kosovë nuk ka certifikuar Listën serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet pralamentare të 9 shkurtit.përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, dolën kundër certifikimit të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Argumenti i tyre ishte se Lista serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Për certifikimin e kësaj partie ka votuar vetëm kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniçi, kundër kanë dalë dy anëtarët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ndërsa tjerët kanë abstenuar.

Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) parti në opozitë, ka abstenuar në votim, me arsyetimin se Zyra për Regjistrimin e Partive Politike, ka vlerësuar që Lista Serbe i plotëson të gjitha kriteret për certifikim, por që ndan shqetësimet e përmendura nga anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Anëtarët e tjerë në mbledhjen e KQZ-së thanë se Lista Serbe ka të drejtë të ankohet ndaj një vendimi të tillë, pasi Zyra për Regjistrimin tashmë ka konfirmuar se kjo listë i plotëson të gjitha kriteret.

Lista Serbe kishte thënë se do të merrte pjesë në zgjedhjet e ardhshme, pasi për një periudhë bojkotoi proceset politike ne Kosovë.

Në vitin 2022 pjesëtarë të kësaj partie dhanë dorëheqje në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit.

Përfaqësues të vetëvendosjes thanë se arsye tjetër për moscertifikimin e listës serbe është se ajo parti nuk e ka dënuar asnjëherë sulmin në Banjskë, dhe që nuk është distancuar asnjëherë nga aktet terroriste që kanë ndodhur në Kosovë.

Ndërkohë Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po tenton “të eliminojë kundërshtarin e vetëm” në Kosovë, Listën Serbe.

“Kurti, me ndihmën e aleatëve të tij, synon të dëbojë popullin serb nga krahinat e jugut”, ka thënë Vuçiç përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram, pa ofruar më shumë hollësi.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!