Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, tha SHBA-ja “nuk sheh asnjë provë që do të çonte në Beograd” kur bëhet fjalë për atë se kush qëndron pas sulmit në kanalin e furnizimit me ujë, Ibër-Lepenc, në veri të Kosovës.
“Ne sigurisht nuk shohim asnjë provë që do të çonte në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë”, tha Hill në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, RTS.
Në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, në Zubin Potok, më 29 nëntor ka ndodhur një shpërthim, i cili ka dëmtuar kanalin e Ibër-Lepencit, i cili furnizon me ujë disa qytete, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve.
Hill shtoi se është mirë që Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI) po e mbështet hetimin dhe se kjo flet për mungesën e besimit dhe një “prirje drejt akuzave të ndërsjella”.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sulmi është kryer me deri në 20 kilogramë eksploziv.