Ja çfarë dihet deri më tani për njeriun që u arrestua si i dyshuari për sulmin me makinë në një treg Krishtlindjesh në qytetin gjerman të Magdeburg, ku pesë persona u vranë dhe rreth 200 u plagosën.
Jeta në Gjermani
I dyshuari kishte punuar si psikiatër në një klinikë të specializuar rehabilitimi për kriminelët me varësi në Bernburg që nga marsi i vitit 2020. Abdulmohsen jetonte në një rrugë të qetë pranë qendrës së Bernburgut, një qytet me 30,000 banorë, në një bllok apartamentesh trekatëshe.
Autoritetet gjermane thanë se i dyshuari nuk ishte i njohur për autoritetet si një islamist, shkruan Reuters
Ministrja e Brendshme Nancy Faeser nuk pranoi të komentojë mbi motivet e të dyshuarit për sulmin apo lidhjet politike, por tha se islamofobia e tij ishte “e qartë për t’u parë”.
Prokurori lokal në Magdeburg, Horst Nopens, tha se një faktor i mundshëm në sulm mund të ketë qenë “pakënaqësia e të dyshuarit me trajtimin e refugjatëve sauditë në Gjermani”, por shtoi se motivi mbeti i paqartë.
Kritik i ashpër i islamit
Taleb A. u shfaq në një numër intervistash në media në vitin 2019 ku raportoi për punën e tij për të ndihmuar arabët sauditë që i kishin kthyer shpinën islamit për të ikur në Evropë.
Në një dokumentar të BBC-së nga korriku 2019, burri flet për themelimin e platformës wearesaudis.net pasi u bë ateist dhe kërkoi azil në Gjermani. Llogaria e tij në platformën X tregoi mbështetje për të djathtën ekstreme AfD si dhe miliarderin amerikan Elon Musk.