Partizani mund Vllazninë/ “Të Kuqtë” fitojnë 2-0 dhe dalin në krye të Superligës, shkodranët vuajnë pasojat e 10 mungesave

schedule16:16 - 21 Dhjetor, 2024

schedule 16:16 - 21 Dhjetor, 2024

Vitin e mbyllën në mënyrën më të mirë.

Nënkampionët e Shqipërisë, futbollistët e Partizanit, I dhanë fundit 2024-ës me një fitore të merituar ndaj Vllaznisë në kryeqytet.

Në “Arenën e Demave”, pra në stadiumin e tyre, të kuqtë ia dolën 2-0 në sfidën e Superligës, me gola të shënuar nga Tedi Cara që në minutën e dytë dhe Arinaldo Rrapaj në të 63-ën.

Skuadra e trajnerit Veselinoviç ishte më lart dhe la pas gabimet e bëra më herët, siç ndodhi me humbjen e papritur në Ballsh ndaj Bylisit të vendit të fundit.

Ishte kjo ndeshja e fundit e Rrapajt me fanelën e Partizanit, pasi që nga janari do ta vazhdojë karrierën në Ukrainë.

Nga klubi kryeqytetas largohet edhe Hadroj, por mësohet edhe Tedi Cara, dhe që të dy lojtarët e njohur do të shkojnë po ashtu në kampionatin ukrainas.

Vllaznia, ndërkaq, pati një ndalesë në pretendimet e saj, edhe pse ndodhet në zonën e katërshes, zonë që të dërgon në plej ofin për titull në fund të sezonit të rregullt.

Shkodranët e trajnerit Brdariç kishin sidoqoftë 10 mungesa dhe kjo ndikoi jo pak në lojën e tyre dhe në humbje.

Në ndeshjen tjetër të Superligës, Elbasani arriti një fitore të rëndësishme në fushën e Skënderbeut.

Trajneri Ivan Gvozdenoviç triumfoi ndaj ish-ekipit të tij, nga I cili u largua pak javë më parë.

Për miqtë, golat u shënuan nga Lleshi në 64’ dhe Hoze Gomesh në minutën e parë shtesë, pra vetëm pas pushimit.

Partizani është përkohësisht në krye të Superligës me 33 pikë, Vllaznia është e treta me 31, Elbasani është në vendin e pestë me 25 pikë, ndërsa Skënderbeu I fundit me vetëm 15 pikë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!