TikTok do të mbyllet për një vit në Shqipëri. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në takimin ku u prezantua plani i ri i veprimit për sigurinë në shkolla. Kreu i qeverisë theksoi se do të duhen disa javë për këtë proces, ndërsa shtoi se pas një viti, do të shihet se si do të veprojnë edhe vendet e tjera.
“Tiktok është rrugaçi i lagjes që ne kemi frikë që fëmija të shoqërohet me të kur del nga shtëpia. Do ta mbyllim për një vit. Ne ndërkohë kemi bërë të gjithë hulumtimet tona në aspektin teknologjik dhe do të na duhen 6-8 javë, duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për një vit, do ta mbyllim plotësisht për të gjithë. Tiktok në republikën e Shqipërisë s’do të ketë. Më pas, do të shikojmë se si do të veprojnë vendet e tjera, si do të reagojë vetë Tiktok, se është kompani që rrënjët e veta i ka në Kinë.
Por po ta shikosh në Kinë dhe jashtë saj janë dy TikTok të ndryshëm. Tiktok në Kinë promovon se si nxënësit bëjnë mirë mësimet, se si ruhet natyra, se si është tradita etj. Rrugaçërira, dhunë, bullizëm, krim, thika, shpata, revole, euro, dollarë nuk sheh në Tiktok e Kinës. Ndërsa në Tiktok jashtë Kinës vetëm llum dhe qenëri. Këtë rrugaç do ta përzëmë nga lagjja për një vit dhe më pas do të shikojmë se çfarë do të bëjnë të tjerët.”, u shpreh Rama./abcnews.al