“Të zhdukurit”, saga drejt fundit? Kosova dhe Serbia bien dakord në Bruksel, “i dorëzohen” presionit të BE

schedule19:10 - 17 Dhjetor, 2024

schedule 19:10 - 17 Dhjetor, 2024

Kosova dhe Serbia duket se po ndërmarrin hapa për të normalizuar marrëdhëniet, pasi sinjalet nga Bashkimi Europian ishin të qarta se nuk ka integrim pa dialog.

Nga takimi i negociatorëve të dy vendeve me të dërguarin e Bashkimit Europian në Bruksel të martën, Kosova dhe Serbia ranë dakord për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur.

Kreu i delegacionit të Kosovës Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviç, e konfirmuan këtë pas takimit me përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Bislimi tha se Kosova dhe Serrbia do të kenë një komision të përbashkët që do të fillojë të merret me këtë çështje nga janari i vitit të ardhshëm.

Ndërkohë Petkovicc tha se u ndërmor hapi i fundit i nevojshëm për çështjen e personave të zhdukur dhe se tani është hequr edhe pengesa e fundit sa i përket zbatimit të deklaratës.

Ky hap pozitiv në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, vjen pasi Këshilli Europian publikoi konkluzionet për republikën e Kosovës në kuadër të procesit të zgjerimit.

Mesazhi ishte i qartë: Masat ndëshkuese të BE ndaj Kosovës nuk do të hiqen derisa Prishtina të ndërmarrë veprime për të ulur tensionet në veri.

Këshilli ndër të tjera i bën thirrje Prishtinës, që të mundësojë riintegrimin e gjyqtarëve, prokurorëve, policëve dhe pjesës tjetër të serbëve që u larguan nga institucionet e vendit në vitin 2022.

Largimi erdhi pasi Kosova pezulloi drejtorin e Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuricc, i cili ka refuzoi që të zbatonte vendimin e Qeverisë së për riregjistrimin e makinave që me targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Rikthimi në institucione do të bëhet në përputhje me marrëveshjet e dialogut dhe në respektim të plotë të ligjit.

Edhe njëherë institucionet e bashkimit europian i bëjnë thirrje Kosovës, edhe për themelimin e asociacionit komunave me shumicë serbe.

Këshilli Europian thotë se asociacioni do të bëhet në përputhje me draft-statutin që BE u ka prezantuar palëve. Megjithatë, qeveria e Albin Kurtit ka refuzuar ta pranojë këtë dokument, që do të ishte një pikënisje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Edhe për Beogradin ishte e qartë ashtu si për Prishtinën, se rruga drejt së ardhmes europiane varet veçanërisht nga progresi që dy vendet do të bëjnë në procesin e normalizimit të raporteve.

Më herët edhe Holanda e kishte bërë të qartë se do të përdorte veton për të bllokuar anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian.

Sipas Amsterdamit, Serbia nuk ka bërë hapa mjaftueshëm sa i përket sundimi të ligjit, dialogut me Kosovën si dhe nuk ka përpjekje për të përafruar politikën e saj të jashtme me Bashkimin Europian.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!