“Kur isha president nuk kishte luftëra”/ Trump: Po punojmë për një marrëveshje për pengjet në Gaza

schedule23:16 - 16 Dhjetor, 2024

schedule 23:16 - 16 Dhjetor, 2024

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump mbajti një konferencë në rezidencën e tij në Mar-a Lago, ku foli për temat më të nxehta të aktualitetit amerikan

Për herë të parë ai komentoi vrasjen e CEO-s së United Healthcare, Brian Thompson dhe shprehu kritika të forta për njerëzit që admirojnë autorin, Luigi Mangione.

“Ishte gjakftohtë. Thjesht një vrasje gjakftohtë, e tmerrshme. Mendoj se është vërtet e tmerrshme që disa njerëz duket se e admirojnë atë. Kjo është një sëmundje, në fakt. Është vërtet shumë e keqe”, nënvizoi Trump.

Një nga ngjarjet që ka shqetësuar amerikanët së fundi është edhe shfaqja e dronëve misteriozë mbi New Jeresy, për të cilët ende nuk ka një shpjegim zyrtar.

Trump tha se nuk e beson që dronët të jenë akt i një fuqie të huaj dhe i bëri thirrje administratës së Biden për më shumë transparencë.

“Ushtria jonë e di se nga janë nisur.  Ata e dinë se nga erdhi dhe ku shkoi. Dhe për disa arsye ata nuk duan të komentojnë. Nuk mund ta imagjinoj se është armiku, sepse nëse do të ishte armiku, agjencitë do ta shfarosnin. Diçka e çuditshme po ndodh – për disa arsye, ata nuk duan t’u thonë njerëzve”, u shpreh ai.

Trump ndër të tjera shprehu gatishmërinë për të falur kryebashkiakun e New York, Eric Adams në lidhje me akuzat për pranimin e ryshfetit dhe korrupsionin. Sipas tij, Adams u trajtua mjaft padrejtësisht.

Trump tha se padia ndaj Adams, i cili kritikoi politikën e imigracionit të administratës Biden, ishte e motivuar politikisht.

I pyetur në lidhje me pikëpamjet e të zgjedhurit të tij për departamentin e shëndetësisë, Robert F Kennedy Jr, një skeptik vaksinash, Trump shprehu bindjen e tij të ndryshme.

Ai tha se beson se vaksinat e poliomielitit janë efektive dhe garantoi siguroi se ato do të vazhdojnë të ofrohen.

Sa i përket politikës së jashtme, Trump u ndal te lufta në Ukrainë.

Ai tha se numri i të vrarëve nga të dyja palët, duhet të jetë shumë më i lartë nga ç’është raportuar.

“Njerëzit po vriten në nivele që askush nuk i ka parë ndonjëherë. Numri i ushtarëve që po vriten nga të dyja anët është astronomik. Ajo që po ndodh atje është shumë më e keqe nga sa raportojnë njerëzit, nga të dyja palët”, tha ai.

Për luftën në Gaza, Trump tha se ai dhe ekipi i tij po përpiqen të ndihmojnë për rikthimin e pengjeve, teksa theksoi se gjatë mandatit të tij të parë si president, në botë nuk kishte luftëra.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!