Kryetari i Partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut Ali Ahmeti apeloi për respektim të marrëveshjes së Ohrit ndërsa tha se cënimi I saj dëmton marrëdhëniet ndëretinke.
“Çdo ndryshim apo cenim i marrëveshjes së Ohrit, i ligjit të gjuhës shqipe, që është nga shtyllat kryesore të marrëveshjes paqësore për Ohrin, do të thotë që dëmton marrëdhëniet ndër etnike. Ishte një inkurajim për mua mbështetja që kryetari i Tiranës i jep marrëveshjes së Ohrit. Marrëveshja e Ohrit është dokument i garantuar nga SHBA, nga BE dhe nga NATO”
Mesazhin Ahmeti e dha nga Tirana ku u prit në një takim nga kryetari I Bashkisë Erion Veliaj I cili theksoi rëndësinë e respektimi të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Jam munduar që, me gjithë rrjetin e bashkive pjesë të B-40-ës, këtë vit, të bëj më të mirën që kombet të afrohen. Kjo do të thotë se jemi shumë të shqetësuar kur ka nisma për të mohuar të drejta tashmë të fituara, për të mohuar të drejta, siç është gjuha shqipe, që e kanë bërë Maqedoninë e Veriut më të mirë, më perëndimore, më evropiane. Po ndjekim me shqetësim gjithë vendimmarrjen e këtyre ditëve.
E di që po përgatitet një vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe lutja jonë është të kuptojmë se kombet e mëdhenj janë kombet pa komplekse. Një gjuhë, një etni, një grup, një minoritet, një faktor të pasuron, nuk të varfëron. Përkundrazi, kur tregohesh vetanak, zvogëlohesh; kur mendon që vetë i di të gjitha, që vetë mundesh të ecësh në gjithë këto procese, pa shokë, pa skuadër, fillon e zvogëlohesh. Maqedonia e Veriut është bërë më e madhe, se shqiptarët janë respektuar; është bërë më e madhe se kjo gjuhë është respektuar; është bërë më e madhe në sytë e botës, sepse këto të drejta janë njohur”
Në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi kryebashkiaku Veliaj e nderoi Ahmetin me “Kullën e Sahatit”. Kryetari I Partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, është “Qytetar Nderi” i Tiranës./abcnews.al