Dario dhe Deon, janë me fat. Ata sot janë të shëndetshëm, por, rrezikuan jo pak kur lindën në javën e 35 të shtatzënisë në mënyrë prematurë.
“Kam lindur me 29 nëntor me operacion, me një tension të lartë. Bebat edhe unë jam mirë. Kam sjell në jetë dy djem. Një javë para lindjes kisha tension dhe albumin të lartë”, tha Valbona Pëllumbi.
Edhe 32 vjeçarja Bajrame Xhabrahimi ka kryer lindje të parakohëshme, duke u bërë nënë për herë të pare, për shkaqe shëndetësore.
“Kam lindur në javën 36 javëshe, bebi ka lindur 220 gramë. Kemi dy ditë që kam lindur. Me thënë të drejtën mezi prita, por ishte një ndjesi shumë e mirë. Me mbështetjen e stafit mjekësore, jemi shumë mirë, se prisja këtë përkujdesje”.
Një bebe e lindur para javës së 37 të shtatzënisë, quhet prematurë. Sipas statistikave 1 në 10 bebe në Shqipëri lindin para kohe, një incidencë që raportohet edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
“Fëmijët e porsalindur me peshë të vogël rrinë në maternitet 2-3 muaj, pra është një kosto shumë e madhe për sistemin shëndetësor publik, është një kosto e madhe për familjen, është një kosto shumë e madhe për shoqërinë, përpjekje shumë e madhe për mjekët, dhe kërkon një aftësi shumë e madhe”, tha Drejtoresha e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Eliona Demaliaj.
Sipas drejtoreshës Demaliaj dekadën e fundit është ulur shkalla e sëmundshmërisë dhe numri i jetëve të humbura të lindjeve prematurë, dhe kjo për shkak të investimeve të bëra.
“Kjo nuk është e barabartë me siç kemi fol para 10 vitesh që prematuriteti është i barabartë me vdekjen. Por, jo. Ne sot kemi rezultate shumë të mira. Kjo ndodh nëpërmjet investimeve, me protokollet e unifikuara, si dhe me rritje e kapacitetit të mjekëve”.
Shkaqet e lindjes parakohe, lidhen kryesishtë me komplikacionet e shëndetit të nënës.
Mund të jetë nga komplikacione që ka nëna, hemoragjia, diabeti, tensioni, mund të jenë fatale si pasojë e anomalive.
Drejtoresha Demaliaj tregon dhe pasojat që sjell lindja parakohe në shëndetin e fëmijës.
Komplikacionet e lindjeve prematurë, varen nga mosha e shtatzënisë, sa më e thellë prematuriteti aq më i lartë mundësia e komplikacioneve, të cilat janë të lidhura si me sistemin nervor qendrorë, me të shikuarin, të lidhura me sistemin e frymëmarrjes, mund të jetë e lidhur me motorrikët.
Prematuriteti nuk është 100% i parandalueshëm, por, për specialistët është shumë i rëndësishëm sensibilizimi i nënave që të kryejnë të gjitha kontrollet sipas protokollit mjekësor gjatë shtatzënisë./abcnews.al