“Shqipëria në linjë me BE, ka fituar besueshmëri”, Nazarko: Ballkani një vatër potenciale tensioni, Rusia mund të ndikojë

schedule17:24 - 3 Dhjetor, 2024

schedule 17:24 - 3 Dhjetor, 2024

TIRANË- Udhëheqësit e rinj të BE presin sot në Bruksel liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, rajon të cilit janë zotuar t’i kushtojnë një vëmendje të posaçme.

Përfaqësuesja për Politike të Jashtme dhe Presidenti i Këshillit evropian do të presin në fillim kryeministrat e Shqipërisë dhe te Maqedonisë se Veriut. Më pas në takime me liderët europiane do të jenë Kurti dhe Vuçiç, me fokus dhe në incidentin e Zubin Potokut.

Komentatori politik, Mentor Nazarko, i ftuar në “Ballkan Update” u shpreh se priten diskutime të shumta, përfshire dhe ngjarjen e fundit, që lidhet me shpërthimi në kanalin Ibër-Lepec, ngjarje kjo që ndodhi të premten e shkuar.

“Diskutime të shumta mbi rajonin, në fokus kriza e fundit në veri. Shtetet anëtare, ato që janë më të fuqishëm vijnë ose nga zgjedhje si rasti i Francës ose shkon në zgjedhje, si Gjermania”, tha ai.

Ai thotë se në këtë takim, Tirana shkon dhe si lidere e rajonit për shkak se është 100% në një linjë me Bashkimin Evropian dhe për këtë ka fituar besueshmëri ndërkombëtare.

“Shqipëria ka arritur nivelin më të lartë të besueshmërisë ndërkombëtare, posaçërisht me BE. Tirana është  qyteti, i cili është 100% i linjëzuar me BE”, tha ai.

Sipas Nazarkos, i gjithë Ballkani po përballet me zhvillime, të cilat nuk tregojnë shenja të mira për stabilitetin në tërësi. Kjo situatë shtoi ai mund të ‘përdoret’ nga Rusia për të shtuar një vatër të re konflikti, paralelisht me atë që po ndodh në Ukrainë.

“Gjithë Ballkani është në zhvillime, të cilat nuk janë shenja të mira sa i takon stabilitetit. Ballkani është një vatër tensioni potencial ku Rusia mund të ndikojë për ta zhvilluar si vatër të re, paralelisht me atë që po ndodh në Ukrainë. Serbia luan me dy karrige.”, tha ai./abcnews.al