Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, ka bërë thirrje që trupat britanike të vendosen në kufirin e Ukrainës si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Në një intervistë për gazetën The Telegraph, Johnson sugjeroi se përgjegjësia për ruajtjen e linjave të mundshme të armëpushimit duhet të jetë një përpjekje evropiane që përfshin forca paqeruajtëse nga disa vende.
“E vetmja gjë që funksionon me të vërtetë është garancia sipas Nenit 5 të NATO-s, e cila ka ruajtur paqen në Evropë për 80 vjet”, tha ai.
Neni 5 është një angazhim politik nga anëtarët e NATO-s për të ndihmuar çdo anëtar të aleancës, sovraniteti ose territori i të cilit sulmohet. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky bëri thirrje për anëtarësimin e shpejtë të Ukrainës në NATO menjëherë pas pushtimit rus në vitin 2022 – por disa nga anëtarët kryesorë të aleancës druhen se një veprim i tillë mund t’i përfshijë ata në luftë me Rusinë.