Në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi nazist gjatë luftës së Dytë Botërore, krerët më të lartë të shtetit zhvilluan homazhe pranë monumentit Nëna Shqipëri.
Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, kryebashkiaku Erjon Veliaj, ministra, deputetë e personalitete të jetës publike, vendosën kurora me lule dhe u përkulën në shenjë nderimi para të gjithë atyre dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.
Ndërsa urimet për shqiptarët zgjodhën t’i bëjnë në rrjetet sociale. Kryeministri Edi Rama publikoi një foto të një foshnjeje të sapolindur në ditën e pavarësisë ndërsa presidenti Bajram Begaj tha se përpjekjet e dëshmorëve për liri, duhet t’i nxisë të gjithë shqiptarët për ta cuar përpara vendin tonë.
“Mijëra shqiptarë, djem e vajza të vendit tonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë, jetën, për diçka që ata e kishin edhe më të shtrenjtë, lirinë. Sot i përkujtojmë më mirënjohjen më të thellë dhe u përulemi me respektin më të madh. Sakrifica e tyre është amaneti ynë. Aspirata e tyre për liri mbetet detyrimi ynë për një Shqipëri të lirë e të përparuar.”, tha Begaj.
Edhe këtë ditë, palët politike e festojnë të ndarë. Të majtët njohin 28 nentorin si ditën e pavarësisë dhe 29 nëntorin si ditën e çlirimit, ndërsa të djathët i përkujtojnë të dyja festat më 28 Nëntor./abcnews.al