Bankingu i hapur/ Vakaj: Ky proces kërkon shumë investime, qytetarët do kenë përfitime

schedule14:31 - 28 Nëntor, 2024

schedule 14:31 - 28 Nëntor, 2024

Drejtori i shoqatës së zyrave të këmbimit valutor, Dritan Vakaj thotë se bankingu i hapur do e çojë shërbimin financiar në një nivel tjetër.

Në një intervistë për “Money Report” në ABC News, Vakaj u shpreh se megjithëse ky proces kërkon shumë investime, sjell përfitime për qytetarët.

“Është një proces që e çon shërbimin financiar në një nivel tjetër. Sjell rritje të sigurisë, lehtësira si për konsumatorin, gjithashtu edhe për tregtarët, veçanërisht në blerjet online. Janë një sërë protokollesh që duhen përditësuar, në mënyrë që kjo të funksionojë. Procesimi i transaksioneve të kryhet në 10-15 sekonda, por kërkon masa shtesë. Ne si qytetarë, do kemi përfitime, veçanërisht në blerje online. Nuk është proces aq i lehtë. Kërkon një lloj zhvillimi. Nga ana e bankave ka pasur reagim. Shumica e tyre janë të gatshme për t’u integruar. Që të kesh operatorë në treg që ta ofrojnë këtë shërbim, ka kosto. Shqipëria është rritur ndjeshëm. Nga ana e qytetarëve, ka qytetarë që për të kyer transaksione bazike, preferojnë të rrinë në radhë në banka, kur mund t’i kryejnë online. Edukimi financiar është i domosdoshëm. Duhet të ketë më shumë ndërgjegjësim, por disi edhe shërbime më të lira. Është e pritshme që do ketë rritje të transaksioneve, do dekurajojë informalitetin”, theksoi ai./abcnews.al