Ka kohë që dominimi ka kaluar nga të bardhët.
Dikur ishte Liverpuli, por prej vitit 2014 sukseset I ka që të gjitha Reali.
Ky duel padyshim klasike e madhe kontinentale, ofrohet sonte në orën 21:00 në “Anfild” në programin e Championsit.
Kur shqiptohet ky emër, nënkuptohet që anglezët janë të destinuar për fitore, veçse madrilenët ia kanë dalë aty dy herë nga tre.
E fundit ishte një triumf 5-2 që nuk lë vend për koment.
Gjithsesi, Liverpuli mendon se ka ardhur rasti që bilanci të përmirësohet,
Skuadra e trajnerit Arne Slot kryeson bindshëm Premier Ligën, dhe ka vetëm fitore në Ligën e Kampionëve.
Reali e ka marrë veten dhe është kampion I Europës e I Spanjës, ndonëse ka pasur shumë luhatje.
Slot sidoqoftë e vlerëson lart.
“Ata mund të fitojnë në mënyra nga më të ndryshmet. Kjo është arsyeja që ata e kanë fituar kaq shpesh këtë trofe, sepse ata herë fitojnë duke qenë dominues, por kur kanë përballë ndonjë ndeshje të vështirë, gjejnë një mënyrë për t’ia dalë mbanë. Natyrisht, Realin e ndihmon edhe fakti që gjithmonë ka pasur yje të mëdhenj. Edhe nëse do të jemi me fat dhe do të jemi në avantazh të një apo dy golave, duhet të jemi të kujdesshëm. Kemi përvojën e dy viteve më parë që ndeshja nuk përfundon derisa vërshëllen arbitri”.
Të besuarit e Karlo Ançelotit e kanë kthyer pllakën në La Liga dhe I janë afruar shumë Barcelonës kryesuese.
Gjithsesi, mungesat janë të shumta si Vinicius, Rodrigo, Militao, Karvahal, por edhe Lukas Vaskez nuk është në 100 për qind.
Trajneri italian u ngacmua për zgjedhjet e formacionit, gjë që nuk e priti mirë.
“Unë mendoj se ndoshta nuk duhet të dëgjoj shumë këshillat e të tjerëve. Nuk duhet të harroni se kam qenë në stol për 1 300 ndeshje, kam zgjedhur 1 300 formacione dhe kam bërë gati 4 000 zëvendësime. Për këtë arsye, besoj se askush këtu nuk mund të më japë këshilla në këtë drejtim”.
Në total, Reali ka 7 fitore ndaj një barazimi dhe 3 fitoreve të Liverpulit, ndërsa kualifikimet janë 4-1 për madrilenët. /abcnews.al