Operacioni me 19 urdhër arreste/ SPAK: Si funksiononte organizata kriminale që drejtohej nga Suel Çela

schedule12:26 - 26 Nëntor, 2024

schedule 12:26 - 26 Nëntor, 2024

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nxjerrë një njoftim zyrtar në lidhje me operacionin e zhvilluar të hënën, caktuar në total masat e sigurisë për 21 persona, ku përfshihen anëtarët e një organizate kriminale, një ish zyrtar i lartë policie, një ish gjyqtar, një avokat dhe dy gazetarë.

SPAK sqaron se kjo organizatë kriminale, në fokusin e saj kishte kontrollin e territorit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke përdorur mekanizma të ndryshëm si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale.

Organizata kriminale që drejtohej nga Suel Çela, me qëllim kontrollin e territorit  kishte si synim kryesor eleminimin fizik të anëtarëve të një grupi tjetër të strukturuar kriminal.

Ky grup vepronte po në qytetin e Elbasanit dhe që konsiderohej si kundërshtar i organizatës kriminale që drejtohej nga Çela.

I gjithë aktivitetit financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal nr.193/2023 janë dokumentuar faktet penale si më poshtë:

  1. Vrasje e mbetur në tentativë me snajper në dëm të shtetasit, A.Ç., në datën 08.06.2020 në qytetin e Elbasanit
  2. Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit B.M, mars 2020;
  3. Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit E.K, në vitin 2020.
  4. Tentativa për trafikimin e afërsisht 930 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Europë, në dhjetor 2020.
  5. Tentativa për trafikimin e 466 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Holandë, në janar 2021.
  6. Ushtrimi i ndikimit përmes akteve korruptive në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, policisë së shtetit dhe medias.