TIRANË- Eksperti i tregjeve të kapitalit, Artan Gjergji, i ftuar në “Sheshi i Dollarit” tha se duke qenë që ky treg është ende në zhvillim e sipër, autoritetet duhet të shtojnë kujdesin, që ato para të mos lejohen të largohen nga vendi pasi kjo ka efekt negativ për ekonominë tonë.
Ai theksoi se duke aplikuar politikën e “dyerve të hapura”, atëherë fondet do largohen nga vendi.
“Mendoj se duke qenë se ende e kemi tregun e kapitaleve në nivele në nivele modeste zhvillimi, do ishte më e udhës që autoritetet të ishin pak më konservatore në drejtimin e lejimit të qarkullimit të këtyre kursimeve shqiptare jashtë ekonomisë se vendit dhe nuk i sjellin asnjë lloj vlere të shtuar ekonomisë së vendit. Pra, e thënë ndryshe, kursimet e shqiptarëve, që blejnë një fond investimesh jashtë nuk i sjellin asnjë lloj investimesh ekonomisë shqiptare, krejt e kundërta, sepse ikën kapitali dhe qarkullon jashtë, në vend që të ishim kaq dyerhapur për instrumente financiare jashtë, duhet që të shohim pak më tepër interesat e zhvillimit të tregut të brendshëm të kapitaleve”, tha ai.
Ai theksoi se edhe bankat e nivelit të dytë, ku një pjesë e mirë e tyre që janë me kapital të huaj dhe bëjnë biznes në Shqipëri, duhet ta suportojnë ekonominë tonë.
“Bankat e nivelit të dytë, edhe pse janë një me kapital të huaj në Shqipëri fitojnë nga të bërit biznes nga bizneset shqiptare dhe për rrjedhojë mendoj se duhet ta suportojnë ekonominë shqiptare”, tha ai./abcnews.al