TIRANË- Eksperti i tregjeve të kapitalit, Artan Gjergji, i ftuar në “Sheshi i Dollarit” theksoi se bizneset e mëdha duhet ta mendojnë seriozisht çështjen e bursës si një instrument, i cili do të garantonte likuiditet për të financuar aktivitetin e tyre.
Ai thekson se në frenimin e kësaj metode ndikon dhe kultura pasi kapitalizmi në Shqipëria vazhdon të mbetet shumë i brishtë.
Sipas Gjergjit, aksionerët shqiptarë kanë një lidhje emocionale shumë të fortë me kapitalin dhe e kanë të vështirë te heqin dorë nga një përqindje e aksioneve për t’ia shitur publikut në bursë.
“Korporatat dhe bizneset e mëdha ka ardhur koha që duhet të mendojnë bursën si instrument dhe si një dritare shumë të mirë likuiditet për të financuar aktivitetin e tyre pse jo duke shitur dhe aksione. Është pak e vështirë kjo pjesë, është pak e vështirë kjo pjese, sepse bizneset shqiptare menaxhohen akoma nga ata që i kanë thelëmuar, jemi në një kapitalizëm të brishtë, një kapitalizëm vetëm 34 vjeçar dhe ende në krye të korporatave janë ata që i kanë thelëmuar në vitin 1990. Kanë një lidhje emocionale aksionarët shqiptarë me kapitalin shumë të madhe, e kanë shumë të vështirë te heqin dorë nga një përqindje e aksioneve për t’ia shitur publikut në bursë. Nuk e shoh të shpejtë procesin e listimin e kompanive me aksione në bursë, por ama , bizneset mund të përdorin instrumentet e huasë”, tha ai/abcnews.al