TIRANË- Apeli i GJKKO, këtë të martë, vendosi të lërë në fuqi masat e sigurisë për çiftin Meta.
Avokati i njohur, Idajet Beqiri në një lidhje live me “Tirana Live” në ABC News u shpreh se masat e sigurisë nga shkalla e parë është bazuar totalisht në ligj dhe Apeli nuk kishte si të merrte vendim për zbutjen e tyre.
Ai shtoi se dosjet hetimore për dyshen Meta-Kryemadhi janë kopsitur dhe është faktuar tashmë me prova se janë të përfshirë në krim dhe korrupsion. Sipas avokatit, Metën dhe Kryemadhin e presin edhe dosje të tjera.
“Kriteret ligjore ishin të plota, që të merrej ajo masë sigurie si për Metën dhe për Kryemadhin. I dëgjova deklaratat e të dyve, nuk kanë çfarë thonë, por do mundohen ta zvogëlojnë përgjegjësinë penale. Ata janë zhytur shumë keq në krim, në korrupsion. Dosjet janë të kopsitura mirë nga pikëpamjet ligjore. Dosje të tjera më të rënda e presin Metën dhe Kryemadhin”, tha ai.
Ai u ndal dhe tek kërkesa që ka bërë Berisha në Kushtetuese për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar në ngarkim të tij nga GJKKO.
Sipas avokati, Gjykata Kushtetuese nuk ka se si të shpallë antikushtetuese, për aq kohë sa SPAK e njeh shumë mirë procedurën ligjore kur aplikon një masë sigurie, të cilën ish-kryeministri Berisha refuzoi ta zbatonte.
“Kjo është një kërkesë e radhës që kanë bërë për të justifikuar shkeljen e rëndë që bëri Berisha, një rast i paprecedent. Kur të kërkohet të respektosh një masë sigurimi ti duhet ta respektosh atë. Nuk duhet ta bëjë një ish-president apo ish-kryeministër. Kjo është një kërkesë formale, për tu justifikuar, s’ke çfarë i bën Kushtetuesja dhe Strasburgu kësaj çështjeje”, tha ai/abcnews.al