Ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka folur në Kuvend për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani në shkollë nga moshatari i tij.
“Kjo është politika që është kultivuar gjithë këto vite, kur dhimbja dhe vdekja përdoren për politikë. Kërkuat këtu përgjegjësi për zbatimin e paketës së sigurisë në shkolla, por unë e kam pasur dhe e kam bindje që na duhet një qasje krejtësisht tjetër. Na duhet të dyfishojmë ndëshkimet penale ndaj gjithkujt që shet apo shpërndan lëndë narkotike pranë shkollave. Lëreni familjen Cani që ta përballojë këtë situatë të vështirë. Unë e kam djalin aq sa ishte Martini dhe e di fare mirë se sa e dhimbshme është për një familje ta përballojë këtë situatë”, deklaroi Balla.
Në vijim, minustri Balla bëri thirrje për bashkëpunim dhe angazhim të opozitës në miratimin e masave ligjore që garantojnë sigurinë e të rinjve në shkolla:
“Ju ftoj të merrni fjalën dhe të thoni: ‘Po, ne jemi gati të mbështesim të gjitha masat drastike ligjore që duhen ndërmarrë.’ Si deputetë, kemi përgjegjësi për modelin që i japim shoqërisë dhe për të ndëshkuar maksimalisht ata që cenojnë sigurinë e fëmijëve.”
Balla gjithashtu reagoi ndaj krahasimeve që opozita bëri gjatë debatit, duke i cilësuar si të papranueshme. Ai kritikoi një krahasim mes qeverisë dhe trajtimit që Serbia i ka bërë Kosovës:
“Po si nuk keni pikë turpi që krahasoni këtë qeveri me Serbinë dhe trajtimin e shqiptarëve me atë që Serbia ka bërë në Kosovë? Ato mijëra vrasje, ato mijëra përdhunime, nuk kanë asnjë të krahasuar. Historia na gjykon për çdo fjalë që themi në këtë sallë.”
Në përfundim, Balla ritheksoi vizionin e qeverisë për një Shqipëri anëtare të Bashkimit Europian deri në vitin 2030 dhe kritikoi retorikën përçarëse.
“Shqipëria ka nevojë për bashkim dhe për një qasje europiane. Ky helm dhe baltë kundër vendit tonë nuk ju bën kurrë europianë,” tha ai, duke iu drejtuar opozitës./abcnews.al