Biden i jep OK Ukrainës: Mund të sulmojë Rusinë me armët tona

schedule19:37 - 17 Nëntor, 2024

schedule 19:37 - 17 Nëntor, 2024

Pas një lutje që zgjati disa muaj nga pala ukrainase, administrata amerikane e Joe Biden ka vendosur t’i japë Kievit dritën jeshile që të godasë territoret e Rusisë me raketat me rreze të gjatë veprimi të dhuruara nga Uashingtoni.

Raportimet e mediave ndërkombëtare thonë se presidenti në Largim Joe Biden, i cili deri më tani e kishte parë këtë hap si një hap përshkallëzues, ka ndërruar mendje pasi Moska po përgatitet të përdorë në Luftën kundër Ukrainës trupat Ushtarake të Koresë së Veriut.

Rusia ka bërë të qartë se një hap i tillë do të përshkallëzonte qartësisht luftën mes Moskës, Perëndimit dhe NATO-s. Ukraina do të ketë mundësinë që pas dritës jeshile të administrates Biden të përdorë sistemin raketor me rreze të gjatë veprimi ATCMS që ka një rreze të gjatë prej më shumë se 300 kilometrash.

Vendimi i presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën që të sulmojë Rusinë me raketat e tyre me rreze të gjatë vjen pasi demokratet humbën garën për Shtëpinë e Bardhë. Presidenti i zgjedhur amerikan, republikani Donald Trump e ka bërë të qartë se me ardhjen e tij në pushtet ndihmat për Ukrainën do të ndaleshin në mënyrë të menjëhershme dhe lufta do të përfundonte që në ditën e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, pasi sipas tij kjo luftë nuk duhet të kishte nisur kurrë.

Mediat ndërkombëtare kanë dëshmuar tashmë se Trump nuk po pret 20 Janarin, ditë kur do të marrë pushtetin por e ka nisur punën për diçka të tillë. Plani i Trump për të cilin nuk ka shumë detaje, ka ngritur shqetësime se Ukraina për të arritur paqen mund të duhet të negociojë integritetin e saj territorial.

Nga ana tjetër, vendimi i Joe Biden për të lejuar Kievin të sulmojë Rusinë me raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi është edhe një sinjal politik hakmarrës mes palëve në Uashinton. E gjitha te bazohet tek “Plani i Fitores”, një plan i presidentit ukrainas që iu prezantua disa javë më parë aleatëve kryesorë të Ukrainës, përfsahirë këtu edhe SHBA.

Kreu i shtetit ukrainas në këtë plan të hartuar shkruante se nëse aleatët lejojnë që Ukrainë të sulmonte Rusinë me raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi, diçka e tillë do të shtonte presionin ndaj Moskës për të tërhequr trupat e saj nga territoret e pushtuara të Ukrainës. Por ky plan paqeje në fakt u has me kundërshti të ashpra pasi liderë evropianë e bënë të qartë se nuk duan që lufta të përshkallëzohej me Moskën që do të sulmonte vende të tjera evropiane.

Edhe Biden e kishte kundërshtuar prej muajsh që të lejonte Kievin që të përdorte raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi për të goditur thellë në territoret e Rusisë, por fakti që humbi zgjedhjet dhe duhet të lërë Shtëpinë e Bardhë duket se e ka mërzitur demokratin, i cili përgjatë mandatit të tij të presidentit nuk u angazhua për të shuar luftën në Europën Lindore./abcnews.al