Fitorja e Trump/ Xhafaj: Rikthehet më i përgatitur. Nazarko: Grenell? Do të vijë me një detyrë të vështirë

schedule20:47 - 13 Nëntor, 2024

schedule 20:47 - 13 Nëntor, 2024

Ish zëvendës ministri i Punëve të Jashtme, Etjen Xhafaj thotë se Donald Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë më i përgatitur. I ftuar në emisionin “Real Story”, ai tha se këtë herë, Trump ka qenë më i vetëpërmbajtur dhe kjo reflektohet në debatet me Joe Biden dhe më pas me Kamala Harris.

“Mendoj se në mandatin e parë nuk ishte fort i përgatitur për të fituar zgjedhjet. E kemi parë me zgjedhjet e kabinetit, me disa nga politikat përballë të cilave u gjend menjëherë ndërkohë që tani jo vetëm që ka pasur këto 4 vite për të menduar me gjakftohtësi dhe këtë e pamë edhe në pozicionin e tij në fushatë, edhe në debatin me Biden dhe Harris, që ishte goxha më i përmbajtur por mendoj se ka pasur edhe kohën dhe ekipin për të vendosur ato që do të jenë përzgjedhjet. Mendoj se Trump, tanimë një politikan që ka më shumë se 10 vjet që dominon politikën amerikane, këtë herë e kupton se sipas kushtetutës së SHBA ka vetëm 4 vite për të vënë dhe jetësuar atë që do. Ajo që kam parë që nga momenti që fitoi, edhe te takimi sot me Biden, ka qenë goxha më i përmbajtur, edhe fjalimi i tij pas fitores ishte shumë më neutral si herën e parë.”, deklaroi Xhafaj.

Ndërkohë, analisti Mentor Nazarko theksoi se Richard Grenell mund të kthehet me një detyrë të vështirë, ose të jetë i dërguari special për Ukrainën dhe Rusinë ose për Kosovën dhe Serbinë.

“Kur flitet për rolin e tij, mendoj se për shkak të shfaqjes së tij në takimin më të rëndësishëm publik që Trump ka pasur me udhëheqës ndërkombëtar, dalja e Grenell krah Trump në takimin me Zelenskyn është tregues i qartë se mund të jetë i dërguari për Ukrainën. I dërguari special se Trump do të merret vetë në vetë të parë. Edhe me Kosovën u mor vetë në vetë të parë. Dhe Grenell do të ishte ai që do të bënte ambasadorin shëtitës midis Ukrainës dhe Moskës. Kjo mund të jetë një fazë që mund t’i kthejë atij profilin e lartë ndërkombëtar, imunitetin që do ta mbrojë edhe përkundër këtyre që e kritikojnë atë. Mendoj se Grenell për shkak të besnikërisë në raport me Trump dhe rolin në midis të mandatit të parë, do të rikthehet me një detyrë të vështirë. Mendoj se do të vazhdojë të ngelet në Ballkan. Në takimin e shkurtër që pata, ai tha se gjëja e parë që do të bëjmë do të jetë rikthimi te marrëveshja e Uashingtonit.

Nuk duhet të harrojmë që për atë marrëveshje Kosovë-Serbi, Trump mori nominimin për çmimin Nobel nga një deputet suedez i majtë, ku pëlqyeshmëria e Trump ishte në nivelet më të ulëta. Në këtë kuptim, me memorie por edhe me idenë që ndoshta mund të jetë më e lehtë tani, edhe për shkak të lindjes së konfliktit Rusi-Ukrainë. Mendoj se ka lidhje, që normalizimi i marrëdhënieve SHBA-Rusi është premisë dhe parakusht që të kemi normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që Kosova të hyjë në OKB. Kosova nuk mund të hyjë në OKB me veton ruse. Duhet një normalizim marrëdhëniesh ruso-amerikane që Kosova të përparojë edhe ndërkombëtarisht”, u shpreh Nazarko./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!